Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi zbuloi informacionin e fshehtë se Shërbimi Informativ i Shtetit i ka konfirmuar PD-së zyrtarisht se gjatë fushatës zgjedhore ka patur politikanë të lidhur me eksponentë të krimit të organizuar.
“Ju e dini që Shërbimi Informativ i Shtetit (SHISH) bën përgjime parandaluese, nuk është se ka përgjime proceduriale që çojnë në burg. Janë indicie apo të dhëna që shërbejnë më pas për të çuar informacion në organet ligjzbatuese.
Ajo që unë mund të konfirmoj, është që zyrtarisht ne na është konfirmuar në kuadër të informacionit që kemi kërkuar për zgjedhje, që gjatë fushatës zgjedhore ka të dhëna të mbledhura nga SHISH për lidhje të politikanëve me eksponentë të krimit të organizuar.
Janë të dokumentuara, por përbëjnë sekret shtetëror dhe nuk i vihen dot në dispozicion PD-së, por janë të dhëna që ndodhen atje”, tha Bardhi në emisionin “Opinion”.