20/03/2023

Çdo informacion në lidhje me trafikun e drogës ose pastrimin e parave, tashmë krahas institucioneve ligjzbatuese mund të denoncohet dhe në zyrat e DEA-s në Shqipëri.

Përmes një njoftimi, Ambasada Amerikane në Tiranë ka nxitur çdo qytetar shqiptar të ndajë me personelin e DEA-s informacione lidhur me këto paligjshmëri.

Për çdo informacion të përcjellë në numrat e kontaktit apo email-in zyrtarë, ambasada garanton anonimat të plotë sa i takon të dhënave të denoncuesit.

“DEA nxit këdo që ka informacion në lidhje me trafikun e drogës ose pastrimin e të ardhurave nga droga ta ndajë informacionin me personelin e DEA-s. Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara të punojnë me Shqipërinë për të luftuar trafikun e drogës dhe pastrimin e parave të lidhura me to, për një të ardhme më të mirë për të gjithë shqiptarët”, njoftoi ambasada.

Ky njoftim që konfirmon dhe prezencën e zyrës së DEA-s në Shqipëri vjen pas disa operacioneve që institucionet e drejtësisë kanë finalizuar me Agjencinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kundër Narkotikëve.

Operacioni i fundit ishte në Nëntor të vitit 2022, ku pas disa muaj hetime mes policisë shqiptare dhe DEA-s amerikane u zbulua një laborator droge në Frakull të Fierit ku u sekuestruan 485 kg kokainë e fshehur në pleh kimik.