Çfarë do të ndodhë pas 11 dhjetorit? Zheji: Mund të kemi një event me goma që digjen dhe njerëz që duan të marrin partinë

Analisti Artur Zheji analizoi situatën e brendshme në Partinë Demokratike, në vigjilje të dy Kongreseve që do të mbahen më 11 dhe 18 dhjetor.
Zheji gjatë fjalës së tij bëri një parashikim të planit që mund të vendosë në zbatim ish-kryeministrit Berisha për të marrë PD-në. Ai theksoi se pas Kuvendit të datës 11 dhjetor mund të ketë një përpjekje me forcë dhe djegie gomash për të marrë Partinë Demokratike.
Kjo sipas tij do të jetë me qëllimin që Berisha të shantazhojë ndërkombëtarët për tu tërhequr dhe për të sakrifikuar Bashën. Vazhdimi i këtij skenari sipas Zhejit do të varet nga reagimi i ndërkombëtarëve dhe drejtësisë shqiptare.
“E gjitha kjo do të krijojë disa etapa, etapa e parë pasi të shihet ky eventi me goma që digjen, me njerëz të motivuar që duan të marrin partinë, pastaj do të kemi një moment qetësie pas stuhisë dhe do të ketë negociata. E gjithë ideja do të jetë liro shtrëngo, është e mençur në llojin e vet, është një shantaz që i bëhet ndërkombëtarëve. Por Berisha dhe ata që e këshillojnë dinë këtë gjë, se ndërkombëtarët do bëjnë llogari sa kushton të përballemi me këtë turbulencë, x, sa kushton të lëshojmë një çik pe, minus x, dhe doktori mendon se do zgjedhin minus x-in dhe do sakrifikojnë Bashën. Pas datës 11 topi qëndron te drejtësia, te shteti shqiptar dhe mbi të gjitha te ndërkombëtarët. Pozicioni i tyre me ekuivokë do të jetë fatal, pozicioni i tyre neto do të jetë shpëtimtar”, tha Zheji.