01/02/2023

Burim i ri uji dhe unaza e presionit janë dy projektet e reja të Bashkisë së Tiranës, për të rritur furnizimin me ujë në kryeqytet dhe për të mos patur probleme në disa zona.

“Projekti i parë ka të bëjë me unazën e presionit. Ne kemi sjellë një linjë direkt nga Bovilla, pra është shtuar prurja në Tiranë. Kemi zgjeruar gjithashtu, impiantin tonë të filtrimit, ose thënë ndryshe, sasinë që mund të pompojmë në rrjet. Por, na duhet një unazë e presionit, që të mos kemi disa zona me 24 orë ujë, kurse në disa të tjera qytetarët përdorin ende pompa për ta çuar ujin në katet më të larta. Unaza e presionit mundëson që i gjithë qyteti të ketë të njëjtin presion, për t’u siguruar që furnizimi të jetë i njëtrajtshëm”.

Sipas kryebashkiakut Veliaj, një tjetër burim uji pritet të sjellë ujë pa ndërprerje.

“Projekti tjetër shumë i rëndësishëm për të cilin kemi nevojë për këtë fizibilitet është projekti i një burimi të ri uji për Tiranën, burimi i Gurit të Bardhë. Do të duhet të mendojmë për Tiranën e viteve 2030-2040-2050. Duhet të kemi një tjetër burim uji dhe për këtë duhet të fillojmë punë tani”.

Aktualisht Tirana furnizohet me ujë nga selita, Shën Mëria dhe Bovilla.