01/02/2023

Bullgarët po votojnë në zgjedhje parlamentare për të tretën herë këtë vit dhe po ashtu për të zgjedhur Presidentin e ri. Rezultati i këtyre zgjedhjeve do të ndikojnë edhe në ecurinë e pranimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE. Vetoja nga Bullgaria për çështjet kulturore dhe etnike ka mbajtur peng negociatat edhe Shqipërinë pasi shumica e shteteve anëtare duan t’i shohin Tiranën dhe Shkupin në çift deri në fund të procesit. Nëse Bullgaria nuk arrin të zgjedhë një qeveri të qëndrueshme, qeveria teknike nuk do të jetë në gjendje të hapë dritën jeshile për procesin integrues të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në BE.

Këtë herë të tretë konstatohet një pjesëmarrje e ulët për shkak të shqetësimeve për përhapjen e koronavirusit dhe apatisë politike pas dy zgjedhjeve pa rezultat në krijimin e qeverisë së re. Rreth 6.7 milionë votues me të drejtë vote shpresojnë se pas këtyre zgjedhjeve kjo përpjekje e tretë për të zgjedhur 240 deputetët e rinj do të rezultojë në një qeveri te re në këtë shtet më të varfrin e Bashkimit Evropian. Bullgaria mbetet shteti me numrin më të ulët të të vaksinuarve në BE me më pak se një të tretën e të rriturve të tij të vaksinuar plotësisht. Në 24 orët e fundit u raportuan 334 vdekje të lidhura me Covid-19.

Një pjesëmarrje e ulët do të favorizonte ish-partinë GERB, e ish kryeministrit Bosjko Borisov  që ka gjasa këtë radhë të rezultojë e para në vota, por shume larg numrit për të krijuar e vetme kabinetin e ri qeveritar. Analistët politikë po parashikojnë se një parti e re e dale rishtas e krijuar nga ministrat e ekonomisë dhe financave të qeverisë së mëparshme, do të dalë e dyta duke përcaktuar  fatin e një qeverie të re. E themeluar vetëm pak javë më parë nga dy të diplomuar të Harvardit, Kiril Petkov, 41 vjeç dhe Asen Vasilev, 44 vjeç, kjo parti ka fituar shpejt mbështetje të gjerë popullore për shkak të mesazheve për zero tolerancë kundër korrupsionit dhe premtimeve për reforma në sektorët kyç. Sondazhet e opinionit sugjerojnë se deri në shtatë parti mund të kalojnë pragun prej 4 për qind për të hyrë në Parlamentin e ri.

Në zgjedhjet presidenciale konkurrojnë gjithsej 23 kandidatë për postin e Presidentit. Presidenti aktual Rumen Radev, një kritik i zëshëm i Borisovit dhe një mbështetës i vendosur i protestave kundër korrupsionit të vitit të kaluar, ka shanse të mira për të fituar një mandat të dytë pesëvjeçar. Sondazhet sugjerojnë se ai do të fitojë pak më pak se 50 për qind e nevojshme ndaj do te duhet një raund i dyte më 21 Nëntor. Me shumë gjasa kundër konkurrentit të tij kryesor për këtë post nga partia e Borisovit Anastas Gerdzhikov, një profesor universiteti. Alternativa ndaj zgjedhjeve të reja parlamentare është një qeveri e dobët e mbështetur nga katër parti që janë kundërshtarë të ish kryeministrit Borisov. Një qeveri e tillë do ta kishte të vështirë të vendoste t’i jepte dritën jeshile Shkupit sepse vendimi do të ishte shumë jopopullor. Analistët ndërkombëtare parashikojnë që Bullgaria mund të ketë nevojë edhe për një stinë të katërt zgjedhjesh parlamentare në pranverën e vitit të ardhshëm.