Botohet vepra “Tinka Kurti – Ditari i një bashkëshorti” me rrëfimet e panjohura për jetën e aktores së madhe

“Tinka Kurti – Ditari i një bashkëshorti” është një botim i veçantë, mes ditarit dhe albumit fotografik, i sjellë me shumë finesë për lexuesin nga autorja Anila Mema.
Është një ditar i rrallë, me kujtime e rrëfime të panjohura që datojnë deri 40 vjet më parë nga jeta skenike e aktores së famshme shqiptare, e shoqëruar edhe me fotografi origjinale.
Por, ky botim i rallë bëhet edhe më i veçantë për faktin se është ditar i mbajtur nga i shoqi i aktores “Nderi i Kombit”, Tinka Kurti.
Aktorja Tinka Kurti vlerësoi secilin prej atyre që kontribuan për realizimin e botimit.
“Ju falenderoj për këtë mrekulli që keni bërë! Nuk e kisha menduar kurrë se do të bënit një mrekulli kaq të madhe. Faleminderit kryetarit të Bashkisë, je shumë i mirë. Vazhdo të jesh i tillë dhe vetëm lumturi do të gjesh në jetë”, u shpreh ylli i skenës dhe kinematografisë shqiptare.
Autorja e botimit, gazetarja Anila Mema, tregoi se është një ditar i rrallë në llojin e vet, një gërshetim prej shpirti e fryme, një përzierje e plotë ndjesie, madhështie, sinqeriteti, emocioni, dëshire, përjetësie, pikëllimi, intimiteti, suksesi a dështimi.
“Përmes këtij libri do ta njohim Tinkën tonë, në një tjetër dimension, në dimensionin njerëzor, atë të njeriut – artist, me të pathënat e saj, me përjetime e ndjesi të thella, me dëshmi e rrëfime të sinqerta, e të pazbukuruara, për të treguar jetën… atë jetën e paskuintave që spektatori nuk e sheh dhe e as nuk e di çfarë fsheh. Janë dëshmi të vyera që vijnë në formën e ditarit, dhe kanë nisur të shkruhen që 70 vjet më parë dhe meritë për këtë thesar, ka vetëm një njeri- i shoqi i artistes sonë, Palokë Kurti”, tha Mema.
Palokë Kurti e ka mbajtur ditarin e jetës së artistes sonë, me vullnet të pashoq dhe me largpamësi, duke e ditur se vite më vonë, shkrimet e tij do të merrnin tjetër peshë. Ka shkruar për pjesën më të madhe të roleve të hershme, ato role të realizuara gjatë viteve të para të karrierës së saj, që nga vitit 1950 kur u bë pjesë e shfaqjes “Përbysja” në Teatrin Migjeni të Shkodrës, e deri në vitin 1990 në shfaqjen “Franku V”. “Ditari i një bashkëshorti” është një ditar që flet qartazi në mënyrë kronologjike për çdo rol, skene a filmi ku ka luajtur “Artistja e Popullit” Tinka Kurti, një titull ky që preferon më shumë nga gjithë të tjerët.
Publikimi i kësaj vepre është mbështetur nga Bashkia Tiranë, Ministria e Kulturës dhe Union Bank, Qendra Steps.