Berisha hyn në debatin për familjet LGBT: Pse nuk flet Basha për nismën “Prind 1 dhe Prindi 2”?

Ish kryeministri Sali Berisha, gjatë Foltores së Lushnjes, foli sërish për një çështje që lidhet me komunitetin LGBT, e njohur për publikun si nisma “Prindi 1 dhe Prindi 2”.
Edhe pse organizatat LGBT nuk e kanë marrë përsipër një propozim të tillë zyrtarisht dhe ai është më së shumti një debat i rrjeteve sociale, Berisha i’a ka faturuar kryeministrit Edi Rama si një nismë të tij.
Gjatë Foltores së Lushnjes, ai ngriti pikëpyetje lidhur me mungesën e reagimin nga ana e zotit Basha, për këtë temë, duke sugjeruar se familja në Shqipëri “po zhvlerësohet”.
Më tej Berisha foli edhe për ndryshimet në ligjin e adoptimit, duke thënë se adoptimi nga një individ i vetëm “i hap rrugë trafikimit të fëmijëve”.
“Çfarë vlere ka kjo që të quash prindi 1 dhe prindi 2? Po zhvlerësohet familja. Mirë Rama e dimë kush është, po Basha pse nuk flet? Kjo sepse nuk guxon. Soros synoi të shkatërroi PD-në, ne do të rindërtojmë forcën konservatore shqiptare më të fortë se kurrë, bazuar në interesin kombëtar, lirinë dhe të drejtat e qytetarëve. Nuk po pyetet për vlerat e shqiptarëve, por po bazohen në ateizëm, duke lejuar adoptime në individ të vetëm, që i hapet rruga trafikimit të fëmijëve.
Basha po e shkëput PD-në nga vlerat e saj të djathta dhe po e bën të majtë, PD ka injoruar në mënyrë absurde rolin vendimtar të grave në shoqërinë tonë, mundin dhe diskriminimin e tyre të madh, që iu bëhet sot”, u shpreh Berisha.