5.5 C
Tirana
Monday, 17 January, 2022

Berisha flet në emër të Komisionit të Rithemelimit: Deputeti Basha s’mund të shkarkojë shumicën

Sali Berisha ka reaguar menjëherë pas konferencës së Lulzim Bashës, që njoftoi vendimet e kryesisë së Partisë Demokratike. Berisha e konsideron Bashën të shkarkuar.

“Koha kur deputeti Basha mund të bënte pazar me fatet e Partisë Demokratike ka marrë fund. Ditët kur Partia shërbente si hipotekë për borxhet e kryetarit kanë përfunduar! Në një ditë historike, 4446 delegatë të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike vendosën sot të rimarrin në dorë fatet e Partisë Demokratike duke shkarkuar Lulzim Bashën në një spektakël të vërtetë demokracie të ngjashëm me standardet amerikane”, shkroi Berisha.

Ai hodhi poshtë akuzat e Bashës se Kuvendi ishte një shfaqje personale e Sali Berishës kundër SHBA.

“Kuvendi i sotëm riafirmon vlerat euroatlantike të PD duke rikthyer në piedestal votën e lirë në të parin kuvend në historinë e Shqipërisë të thirrur nga anëtarësia”, vijon ai.

Berisha jep edhe vendimin e Komisionit të Rithemelimit, që u ngrit gjatë punimeve të Kuvendit.

“Komisioni i Rithemelimit i mandatuar nga Kuvendi konsideron nul dhe qesharake çdo dëshirë të deputetit Basha për të thirrur Këshillin Kombëtar për të shkarkuar drejtuesin e këtij Këshilli, apo për të marrë masa displinore ndaj përfaqësuesve të mijëra demokratëve që me votë të lirë dhe legjitime vendosën sot shkarkimin e tij!”, thotë ish-Kryeministri.

“Komisioni u bën thirrje të gjithë anëtarëve të Këshillit Kombëtar si dhe ish-anëtarëve të Kryesisë të respektojnë vullnetin e Kuvendit Kombëtar si organi më i lartë drejtues i Partisë Demokratike. Komisioni fton të gjithë drejtuesit e PD të lexojnë dhe respektojnë vullnetin e shumicës që shkarkoi kryetarin dhe jo të deputetit Basha që kërkon të shkarkojë shumicën!”, vijon ai.

TË NGJASHME

TË FUNDIT

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com