27/01/2023

Nisi si një replikë për arsimin e lartë e  përfundoi në akuza të ndërsjellta debati mes ish-Kryeministrit Berisha dhe ministres së Parlamentit Elisa Spiropali.

Sali Berisha: Infiltrimi i krimit në botën akademike përbën një nga aktet më të shëmtuara në historinë e një vendi. Ju nuk keni harruar kur kandidati për rektor i njohur për bindje të majta dhe që nuk mund të jepte kampin e  universiteti paradhënie të bandave, u ndal në mes të sheshit nga famozi Shullazi dhe ju tha dorëheqje ose kokën.

Elisa Spiropali: Tre piramida ke ndërtuar në jetë, ato financiare që rrënuan Shqipërinë, ato arsimore që bënë analfabet të rinjtë dhe atë politik në majë të së cilës ti nuk ngjitesh më sepse nuk je gjenerali i ushtrisë së vdekur, por i një ushtrie që ti mendon se je gjallë.

Kaq mjaftoi që tonet mes tyre të ashpërsoheshin.

Sali Berisha: Zonja që foli thirret ‘zonja 5 milionë dhe nuk hyn tek anëtarët e mëdhenj të organizatës, por hyn si anëtare projunior ndaj shan me gjuhë ordineri.

Elisa Spiropali: Nuk ka mizë që i afrohet atij për ta kthyer në politikë dhe nuk ka njeri me dy parë kokë që ta votojë. Ai është përçarësi më i madh në gjithë këto treva dhe ka gojën më të ndyrë që ka pasur ndonjëherë politikanë në trevat e Shqiptarisë.

Jo vetëm në seancë por edhe jashtë Parlamentit, Berisha u përfshi në replika, kësaj radhe me Lulzim Bashën, të cilin e akuzoi se anuloi një vizitë në SHBA, pasi ndaj tij FBI-ja ka nisur një hetim për dosjen “Muzin”. E sa për veten thotë se nuk i druhet asnjë hetimi nga SPAK.

“Nuk i druhem SPAK-ut dhe asgjëje mbi tokë, kam kodin tim të pathyeshëm. Personi i vetëm që është në përballje me drejtësinë ndërkombëtare dhe atë shqiptare, është Lulzim Basha. Prandaj kur të dalë para jush, pyeteni pse u ktheve nga Roma në Tiranë dhe nuk shkove në SHBA. U kthye se e ka të hapur dosjen Muzin nga FBI. Nëse shkonte, përballej me ligjin, ka disa procese që ia ka krijuar vetes. Edi Rama e mbylli dosjen”.

Por Lulzim Basha me të njëjtën kërkesë si edhe Kryeministri Rama nga Kongresi i socialistëve, ftoi drejtësinë të nisë hetimet ndaj ish-Kryeministrit Berisha, i shpallur “non grata” nga SHBA.

“Nëse ka një akuzë kaq të rëndë nga DASH, detyra e drejtësisë do të ishte që të kishte vepruar prej kohësh dhe të kishte nisur hetimet”.

Sali Berisha e paralajmëroi se ndaj tij priten edhe hetime të tjera veç dy dosjeve; Muzin e Toyota Yaris.

“Ka disa procese që ia ka krijuar vetes. Është dosja Muzin, është dosja e Toyota Yaris dhe ndoshta ndonjë tjetër. Afera është ndërkombëtare”.