Bashkimi Evropian është afër miratimit të paketës së 19-të të sanksioneve kundër Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë, por çështja e Sllovakisë, e cila nuk lidhet drejtpërdrejt me paketën e propozuar, mbetet ende për t’u zgjidhur.
Kështu e deklaroi një diplomat i lartë evropian për gazetarët në Bruksel ditën e enjte.
Sipas tij, përparim i ndjeshëm u arrit gjatë takimit të Komitetit të Përfaqësuesve të Përhershëm të Shteteve Anëtare të BE-së (COREPER), që u zhvillua të mërkurën.
Diplomati tha se kanë përparuar shumë dhe janë afër qëllimit, veçanërisht pas takimit të djeshëm. Sipas tij, pothuajse nuk ka mbetur asnjë problem apo mosmarrëveshje e madhe.
Ai shtoi se, nëse arrijnë të zgjidhin disa çështje të fundit, do të mbetet vetëm një problem. Ai e quajti këtë problem “një rezervë nga një shtet anëtar, jo për përmbajtjen e paketës, por për shkak të lidhjes me çështje të tjera”.
Diplomati shpjegoi se kryeministri i Sllovakisë ka deklaruar publikisht se nuk do të pajtohet me paketën e 19-të nëse nuk merr garanci për disa çështje të tjera që nuk lidhen me paketën dhe situatën në Ukrainë.
Megjithatë, diplomati shprehu shpresën se paketa e 19-të e sanksioneve do të miratohet para takimit të Këshillit Evropian, i planifikuar për 23-24 tetor.