Basha shkarkon Flamur Nokën si nënkryetar të Komisionit të Sigurisë

Flamur Noka është shkarkuar nga funksioni i nënkryetarit të Komisionit të Sigurisë. Vendimi është marrë nga kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, i cili e ka paralajmëruar për përjashtimin nga grupi parlamentar.
Lajmi është bërë i ditur nga Partia Demokratike përmes një njoftimi zyrtar.
“Arsyeja e këtij vendimi është shndërrimi i mbledhjes së Kryesisë së Grupit në laborator të prodhimit të gënjeshtrave për të baltosur Kryetarin dhe Partinë Demokratike, duke sajuar diskutime apo qëndrime, të pathëna dhe të paqena.
Këto shpifje dhe sajesa të herëpashershme dhe të përsëritura, dëmtojnë interesin e Partisë Demokratike dhe të demokratëve, duke shfokusuar vëmendjen e betejës së opozitës ndaj të vetmit kundërshtar që është armiku i Shqipërisë dhe shqiptarëve Edi Rama”, thuhet në njoftimin e Partisë Demokratike.