08/02/2023

Kryedemokrati Lulzim Basha ka deklaruar para selisë blu se koha e ish-kryeministrit Sali Berishës ka mbaruar.

Ai tha se PD nuk do të kthehet në bunker për interesat personale të ish-kryeministrit, duke shtuar se me aksionin e tij politik, Berisha është kthyer në një tub oksigjeni për regjimin e Edi Ramës, për të cilën ai tha se duhet ta ndërpresë.

“Koha e Sali Berishës ka mbaruar. Bashkë me të ka mbaruar edhe koha e mandateve të skaduara dhe përdorimit të PD-së dhe forumeve të saj për interesa personale.

Asgjë dhe askush nuk do ta kthejë PD-në në një bunker për interesat personale të Sali Berishës.

Partia Demokratike ka lindur si një aspiratë e popullit shqiptar për liri dhe demokraci, dhe është shpresa e shqiptarëve për të zgjidhur hallet e tyre të shumta. Dhe halli me i madh i shqiptarëve sot është regjimi i Edi Ramës.

Prej javësh, me zdërhalljet e tij Sali Berisha është kthyer në një tub oksigjeni për regjimin e Edi Rames. Unë jam i vendosur t’ja këpus këtë edhe këtë tub oksigjeni për regjimin Edi Ramës”, tha Basha.