• 29/03/2023

Basha i përgjigjet Berishës pas “shkarkimit”: Bëre shfaqje të shëmtuar anti-amerikane

 Basha i përgjigjet Berishës pas “shkarkimit”: Bëre shfaqje të shëmtuar anti-amerikane

Lulzim Basha i është përgjigjur ashpër ish-kryeministrit Sali Berisha, në një deklaratë për mediat, pas mbledhjes së kryesisë së Partisë Demokratike.

Lideri i “shkarkuar” i PD e akuzoi Sali Berishën për shfaqje antiamerikane, ndërsa e quajti edhe “mbeturinë të komunizmit”. Kryedemokrati deklaroi gjithashtu, se PD nuk njeh asnjë vendim të marrë ditën e sotme në Kuvendin e thirrur nga Sali Berisha.

Basha u shpreh se Kryesia e Partisë Demokratike ka vendosur mbledhjen e Keshillit Kombetar ditën e nesërme, ku do të votojë shkarkimin e Kreut te Keshillit Kombetar, Edi Paloka dhe të disa anatarëve të kryesisë.

“Sot është një ditë e keqe për PD dhe demokracinë shqiptare. 31 vjet pas themelimit të Partisë Demokratike, ne u bëmë dëshmitarë të një manifestimi personal të Sali Berishës për t’ju kundërvënë SHBA

Ne i bëjmë të ditur çdo demokrati që sot është shqetësuar nga kjo shfaqje e shëmtuar anti-amerikane e Sali Berishës se kjo ishte përpjekja e fundit, e dëshpëruar dhe e turpshme e tij për ta marrë peng Partinë Demokratike dhe për ta përdorur atë si bunker për hallin e tij.

Asnjë deklarim i dalë nga ky tubim nuk ka asnjë lidhje me Partinë Demokratike dhe institucionet e zgjedhura të PD.

Në përgjigje të fallsfikimeve, shpërdorimit të funksioneve, simboleve, dhe në kundërshtim me urdhrat dhe vendimet zyrtare të organeve të Partisë, Kryesia e Partisë Demokratike ka vendosur:

Thirrjen e Mbledhjes së Jashtëzakonshme të Këshillit Kombëtar nesër, e diel, më 12 dhjetor 2021 ora 15:00, me këtë rend dite:

1.Miratimi i një Rezolute lidhur me situatën e jashtëzakonshme të krijuar nga veprimtaria antistatutore që dëmtojnë rëndë interesat politike dhe elektorale të PD.

2. Miratimin e propozimit të Kryesisë për shkarkimin e Kryetarit të Këshillit Kombëtar dhe disa anëtarëve të Kryesisë për shkelje të rënda të Statutit të PD dhe vendimit të Kryesisë të datës 15 Nëntor.

Kryesia vendosi gjithashtu shkarkimin nga detyra të disa kryetarëve të degëve.

Kryesia ngarkoi Sekretariatin ekzekutiv të ndjekë të gjithë hapat për të vënë para përgjegjësisë ligjore të gjithë personat përgjegjës për falsfikimin dhe shpërdorimin e simboleve të institucioneve të Partisë Demokratike.

Sigurojmë çdo demokrat se të gjitha institucionet e Partisë Demokraike, duke nisur nga Këshilli Kombëtar, Kryesia dhe Kryetari vazhdojnë të jenë në krye të detyrës, në përmbushje të përgjegjësive dhe në shërbim demokratëve dhe gjithë shqiptarëve.

Demokratët do të mblidhen në Kuvendin Kombëtar të thirrur nga Kryesia e Partisë më datën 18 dhjetor, ku do te diskutojne dhe marrin vendimet të rëndësishme për të ardhmen e tyre, dhe jo për hallin personal të Sali Berishës.

Më 18 dhjetor, Partia Demokratike do të lërë pas pjesët e hidhura të së shkuarës së saj, bashkë me mbeturinat e komunizmit dhe të korrupsionit drejt ndryshimit që meriton çdo demokrat dhe shqiptar”, tha Basha.

Kujtojmë se më herët, 4446 delegatë të Kuvendit të thirrur nga Sali Berisha, votuan për shkarkimin e Lulzim Bashës si kryetar të PD-së.

Të ngjashme