Basha: Grupi “na bashkoi non-grata amerikane” është e shkuara

Në konferencën e fundit për mediat për këtë vit, kryedemokrati Lulzim Basha tha se 2021 për shqiptarët ishte një vit i vështirë, ndërsa për demokratët viti i ndarjes nga e shkuara. Duke iu referuar pikërisht debatit të brendshëm në radhët e demokratëve, ai theksoi se forca që ai drejton është sot më e vendosur se kurë për të vijuar betejën e saj opozitare dhe për të rikthyer besimin e shqiptarëve, pavarësisht përpjekjeve për ta mbajtur atë peng të së shkuarës.
“Ëndrra e Edi Ramës për të patur një PD me persona nongrata morri goditjen më 9 Shtator dhe u bë pluhur e hi më 18 dhjetor. Kështu që ka arsye të jetë nervoz. Në rolin e kryesorit të trekëndëshit të Bermudës, Edi Rama do lodhet, por më kot, apo ortaku i fundit, tubi i oksigjenit, të gjitha kanë dështuar dhe do vazhdojnë të dështojnë. PD e pastruar nga hijet e së shkuarës është sot shpresa e shqiptarëve”.
Ai madje bëri edhe një paralajmërim, se ai që Basha e konsideroi si grupi që e bashkoi nongrata amerikane do të shtohet edhe me anëtarë të tjerë.
“Sa për Ramën dhe grupin e tij ‘na bashkoi non grata amerikane’, do zgjerohet shumë shpejt me persona të tjerë nga bota e politikës dhe krimit”.
Një përgjigje e pati edhe për ultimatumin që Komisioni i Përkohshëm për Rithemelimin i PD-së dhe ish-kryeministri Sali Berisha i ka dhënë për të liruar zyrën.
“Dua t’i them të gjithë demokratëve se asgjë nuk do të ndodh. PD është e përgatitur për çdo situatë dhe ne nuk do lejojmë trekëndëshin e Bermudës që ta zhvendosë fushën e betejës nga keqqeverisja e Ramës te demokratët”.
Pyetjes nëse është i gatshëm të negociojë me Berishën për të gjetur një zgjidhje kompromisi, Basha iu përgjigj:
“Edhe një herë, ëndrra e Edi Ramës morri fund më 9 Shtator dhe u bë pluhur më 18 Dhjetor. Demokratët zgjodhën të ardhmen. Ndaj vendim i tyre është i qartë, është jo vetëm një vendim që i shërben Shqipërisë dhe shqiptarëve, vendimi është nuk ka kthim pas, ky është një lajm i keq për trekëndëshin e Bermudës”.
I vendosur për të mos përjashtuar asnjë demokrat, ai theksoi se zgjidhja që kanë bërë deputetët demokratë që mbështesin Berishën është një zgjidhje e tyre personale.
“Partia Demokratike ka folur qartë, demokratët kanë vendosur qartë, secili vendos vetë se si do t’i përgjigjet vendimeve të demokratëve. PD-në, Rama nuk do ta ketë përballë si një parti të damkosur nga nongrata amerikane”.
Ai u ndal edhe tek skandali inceneratorëve, ai tha se paratë e përfituara nga kjo aferë janë përdorur për blerjen e votave, ndërsa inkurajojë prokurorinë të çojë edhe më tej përgjegjësinë për të.
Në fund ai nuk pati një urim për vitin e ri për të gjithë ata që ai i konsideron si pjesë e trekëndëshit të Bermudës, por zgjodhi prej tyre vetëm Ramën.