8.5 C
Tirana
Monday, 25 October, 2021

Basha: Autokratët e Ballkanit ndajnë pushtetin me krimin

Zhvillohet këtë të martë samiti i Partive Popullore Europiane për Ballkanin Perëndimor. Pjesë e tij është edhe kryetari i PD-së, Lulzim Basha. Kryedemokrati tha se samiti duhet që të adresojë të gjitha pengesat e udhëtimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt Europës. Basha ka cituar raportin e ODIHR dhe ka thënë se në vitin 2021, Shqipëria si një vend anëtar i NATO-s dhe që pret Konferencën e Parë Ndërqeveritare duhet të garantojë lirinë dhe fshehtësinë e votës.

“Ne presim nga ky Samit i Ballkanit Perëndimor të adresojë pengesat në udhëtimin tonë drejt Europës. Përveç arenë përplasjesh gjeostrategjike, Ballkani është kthyer edhe në kryqëzimin e rrugëve të trafikantëve e kriminelëve, të cilat nxiten dhe lehtësohen nga autokratët e Ballkanit, që për pushtetin e tyre përdorin krimin e më pas e ndajnë pushtetin me ta. Për shumë vite është kërkuar stabiliteti në dëm të demokracisë, duke korrur si rezultat bjerrjen e të dyjave.

Mjafton të shihni raportin e ODIHR, 5 rekomandimet prioritare, nëse hiqni emrin e Shqipërisë, do të mendoni se është raporti i zgjedhjeve i Bjellorusisë së Lukashenkos. Po ju përmend vetëm një frazë, “Shteti duhet të garantojë lirinë dhe fshehtësinë e votës”. Lirinë dhe fshehtësinë e votës?! Në 2021, në Shqipëri, një vend anëtar i NATOS-s, kandidat për në BE që pret Konferencën e Parë Ndërqeveritare…”, tha Basha.

Sipas kryetarit të PD rajoni i Ballkanit Perëndimor ka nevojë për më shumë mbështetje në sundimin e ligjit, më shumë ndihmë në luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar dhe më shumë mbështetje për zgjedhje të lira e të ndershme.

“Ndaj në këtë proces, sinqeriteti dhe guximi janë thelbësorë. Guxim për të drejtuar gishtin ndaj veprimeve dhe autorëve që gërryejnë demokracinë, sundimin e ligjit dhe lirinë e medias. Duke mbajtur qëndrim, për të mos pranuar për vendet tona, gjëra që nuk do t’i pranonit kurrë për zgjedhësit tuaj. Për këtë, unë besoj se rajoni ynë ka nevojë për më shumë mbështetje për sundimin e ligjit, më shumë ndihmë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, më shumë mbështetje për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Vetëm në këtë mënyrë ne mund të krijojmë, së bashku, më shumë mundësi për të rinjtë tanë dhe qytetarët tanë, dhe të bëhemi udhëheqës të vërtetë për shpresat dhe aspiratat e tyre dhe jo shfrytëzues të frikës dhe anktheve të tyre”, tha Basha.

TË NGJASHME

TË FUNDIT

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com