Avokati flet për gjendjen e Tahirit në burg: Të merren masa për sigurinë e tij!

Prej ditës së premte, ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri është dërguar në paraburgim pasi u dënua me 3.4 vite burgim nga Apeli i GJKKO.
Avokati i tij, Maks Haxhia, në studion e Opinion, ka thënë se Tahiri është në gjendje të mirë dhe i bindur në pafajësinë e tij.
“Është në dhomë më vete në një gjendje shpirtërore shumë të mirë, me kurajo. E ka pritur pa pesimizëm se është i bindur në pafajësinë e vetë. Në burg duhet të qëndrojë me persona të tjerë. Ai nuk është nga ata tipa që i lëviz qerpiku. Sot është takuar me familjarët”, tha ndër të tjera avokati i Saimir Tahirit.

Avokati tha më tej se Tahiri ka një gjendje të mirë shpirtërore, pavarësisht dënimit.
“Sot paradite e kam takuar, është tek 313, është në gjendje shumë të mirë shpirtërore. Pritet që të transferohet. Nuk besoj t’i rrezikohet jeta, nuk është nga ata tipa që i lëviz qerpiku e nuk ka ngritur pretendime të tilla. Por kjo nuk do të thotë që qeveria të mos marrë të gjitha masat e nevojshme për ta lënë të sigurtë,”- tha Haxhia ndër të tjera.