27/01/2023

Mediat greke kanë zbardhur detaje të tjera të shqiptarit të plagosur me armë zjarri një ditë më parë në lagjen Kyfisia të Athinës, i cili u qëllua në mes të rrugës.

Televizioni Alpha ka publikuar pamjet e para nga vendi i ngjarjes, ku duket shqiptari i shtrirë në trotuar pak minuta pasi është qëlluar me armë.

Aty janë edhe punonjësit e policisë, të cilët pasi shkuan në vendngjarje i dhanë ndihmën e parë 34-vjeçarit.

Plumbat e armës e kanë prekur në bark dhe në këmbë. Teksa po i jepnin ndihmën e parë, efektivët po kontrollonin edhe në xhepat e 34-vjeçarit për të gjetur dokument identifikimi.

Shqiptari i plagosur rezulton të jetë person i njohur për autoritetet greke. Televizioni Alpha raporton se ai ka precedent të mëparshëm penal, madje e konsideron si “person me të kaluar të rëndë dhe është mjaft i njohur për policinë”.

Identiteti i tij nuk është bërë publik. Ndërkohë, hetuesit janë duke punuar për të identifikuar dhe arrestuar autorët, si dhe për të zbardhur shkaqet.