Arrestohet autori i vrasjes së 28-vjeçarit Florenc Kovaçi

Policia e Elbasanit ka mundur të verë në pranga autorin e dyshuar të vrasjes së 28-vjeçarit Florenc Kovaçi dhe plagosjes së vëllait të tij 19-vjeçar Mikel Kovaçi. Ai është 24-vjeçari Ardit Hida dhe u arrestua në lagjen “Brigada e 17 Sulmuese”, rreth 3 orë pas ngjarjes.
Ngjarja e rëndë ndodhi pas një konflikti mes palëve për motive të dobëta, që çoi deri në përdorimin e thikës. Policia ka mundur të sekuestrojë edhe armën e krimit.
“Falë reagimit në kohë të shërbimeve të Policisë të Komisariatit të Policisë Elbasan dhe ato të DVP, veprimeve të shpejta hetimore e profesionale, krehjes së zonës dhe kontrolleve të shumta, u bë e mundur kapja e autorit të dyshuar të ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e sotme në Elbasan. Shërbimet e Policisë kapën dhe shoqëruan në Polici për veprime të mëtejshme shtetasin Ardit Hida 24 vjeç, i cili u kap në lagjen “Brigada e 17 Sulmuese”.
Gjithashtu u bë e mundur gjetja dhe sekuestrimi në cilësinë e provës materiale i thikës me të cilën ky shtetas plagosi dy vëllezërit, ku si pasojë e plagëve të marra njëri prej vëllezërve shtetasi F.K., rreth 28 vjeç, banues në Elbasan ka ndërruar jetë ndërsa vëllai tjetër shtetasi M.K.,19 vjeç, ndodhet në spital për ndihmë mjeksore. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan vijon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje”, tha policia në një njoftim për mediat.