01/02/2023

Dy punonjës policie, një i Komisariatit nr.1 dhe një i Policisë Bashkiake në kryeqytet, janë arrestuar.

Policia bën me dije se dy policët në kryeqytet u kanë marrë me dhunë një shumë parash dy qytetarëve te zona e liqenit artificial.

Policët u vendosnin të rinjve prangat që të dukej zyrtare dhe më pas u merrnin paratë. Të arrestuarit janë polici i patrullës së komisaritatit nr. 1, Serxhio Cani, 23 vjeç dhe polici bashkiak, Sajmir Muzikanit, 39 vjeç.

Ndalimi i tyre u bë gjatë orëve të para të mëngjesit. Për hetimin e rastit është njoftuar edhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore. Dyshohet se dy autorët vidhnin sende me vlerë e celularë edhe qytetarëve që dilnin për shëtitje tek liqeni.

Sipas asaj që raporton gazetari Besar Bajraktari, në komisariat janë dokumentuar 3 raste grabitjeje dhe 9 kallëzime ndaj punonjësve të policisë.

Këta të fundit pasi i ndalonin të rinjtë u merrnin shuma parash 20, 30 e deri në 50 mijë lekë të reja. Menjëherë pas evidentimit të rastit, kanë nisur procedurat e përjashtimin nga Policia të punonjësit të patrullës Serxhio Cani.