27/01/2023

Këto pamje tregojnë momentin kur një i ri shqiptar lëviz me shpejtësi marramendëse me makinë, pak çaste para se t’i merrte jetën një 47-vjeçari. Ngjarja e rëndë ndodhi pak para mesnatës të së shtunës në qendër të Selanikut.

21-vjeçari shqiptar, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, i kishte marrë makinën Audi kushëririt të tij dhe po ecte me shpejtësi tej normave të lejuara. Ai kaloi të paktën 3 semaforë të kuq dhe pas momentit të fiksuar nga kamerat e sigurisë, përplasi 47-vjeçarin, i cili ishte shpërndarës picash. Motori i tij u nda mëdysh dhe babai i dy fëmijëve gjeti vdekjen në vendngjarje. Shqiptari tentoi të largohej nga vendngjarja, por u arrestua pak kohë më pas nga policia.

https://www.youtube.com/watch?v=sMyKSd-iZPU&feature=emb_title

I riu ishte pa patentë dhe nuk rezultoi të ishte nën efektin e alkoolit. Autoritetet greke kanë nisur hetimet për ngjarjen e rëndë.

Nëna e viktimës, e cituar nga mediat vendase tha se ishte e vendosur që të ndërmerrte çdo akt ligjor për të vënë drejtësi për humbjen e të birit. “Im bir po punonte atë natë. Një djalë i ri, duke ecur si i çmendur i preu rrugën… kishte kaluar 3 semaforë të kuq dhe tek i fundit mori para tim bir. Motori i tij u bë copë, nuk ngeli asgjë”, tha gruaja.

“Shoferi i makinës u përpoq të largohej, por fatmirësisht u kap. Fatkeqësisht shumë ngjarje të tilla ndodhin, i ndodhi djalit tim. Kishte një punë të vështirë, por i pëlqente. Është e vështirë shumë për të gjithë ne… Im bir ishte i martuar dhe la pas 2 fëmijë, një djalë 19-vjeçar dhe një vajzë 16-vjeçare. ”

Dëshmitarë nga vendi i ngjarjes thanë se 47-vjeçari fluturoi rreth 50 metra larg nga vendi ku u përplas. Menjëherë pas përplasjes i riu shqiptar shkoi afër viktimës dhe në panik u arratis në këmbë. Por qytetarët që ishin në vendngjarje e ndaluan dhe e neutralizuan 21-vjeçarin, deri në mbërritjen e policisë.

Për 47-vjeçarin që gjeti vdekjen pati edhe një marshim nga shpërndarës, të cilët dolën në rrugët e Selanikut.