15.5 C
Tirana
Saturday, 23 October, 2021

Ali Ahmeti këshillon Kosovën për “Open Balkan”: Gjërat nuk duhen marrë me emocion

Më 13 gusht të vitit 2001 u nënshkrua marrëveshja e Ohrit, një kontratë paqeje që i dha fund konfliktit të armatosur mes maqedonasve dhe shqiptarëve. 20 vjet më vonë, liderët e Maqedonisë së Veriut u bënë bashkë për të vlerësuar arritjen e zgjidhjes politike për fundin krizës ndëretnike në shtetin fqinj.

Nga Shkupi, presidenti Stevo Pendarovski deklaroi se Marrëveshja e Ohrit renditet fill pas Kushtetutës, në rëndësinë që ka për vendin.

STEVO PENDAROVSKI / PRESIDENT I MAQEDONISE SE VERIUT

“Dy bashkësitë më të mëdha në vend, për çështjet kyçe dhe strategjike duhet të punojnë së bashku dhe jo pas shpine. Sfida themelore është se si të mendojmë jashtë kornizave etnike dhe partiake të cilat shpesh janë të ngjyrosura etnikisht dhe në këtë drejtim ne politikanët kemi ende shumë punë.”

Ndërsa kryeministri Zoran Zaev u shpreh se kjo marrëveshje është themel i bashkëjetesës.

ZORAN ZAEV /KRYEMINISTER I MAQEDONISE SE VERIUT

“Marrëveshja kornizë e Ohrit përcolli mesazhin për mirëkuptim, ndjesë dhe falje të ndërsjellë mes shqiptarëve dhe maqedonasve dhe të gjithë qytetarëve tanë. Ajo solli një frymë të re në politikë-bërje. Politika që ndërtojnë ura dhe nuk i shkatërrojnë ato.”

Ndërkohë kryetari i partisë Bashkimi Demokratik për Integrim nënvizoi se zbatimi i marrëveshjes në këto dy dekada, ka ngecur te ligji për gjuhën shqipe. Sa i takon iniciativës “Ballkani i Hapur”, Ali Ahmeti dha një gjykim të ftohtë dhe tolerant ndaj pozicionimit të Kosovës.

ALI AHMETI / KRYETAR I BDI

“Gjërat nuk duhet të merren me emocion, gjërat duhet parë me gjakftohtësi, çka është e dobishme për Kosovën të pranohet, çka mund të jetë e dëmshme mos të pranohet. Por nga këto nisma unë nuk shoh që përgatitet ndonjë ripushtim i Kosovës, kjo është nismë që vullnetarisht mund t’i bashkëngjiten edhe vendet e tjera të rajonit, mund të mos i bashkëngjitën, secili shtet sheh interesat e veta, aty ku rrezikohen e kërcënohen interesat e shtetit sigurisht që nuk i bashkëngjitet një nisme të tillë.”

Njëri nga hartuesit e marrëveshjes Xhevdet Nasufi, atëkohë ministër i Drejtësisë nga radhët e Partisë Demokratike shqiptare, u shpreh se politikanët shqiptarë nuk kanë punuar mjaftueshëm për zbatimin e plotë të marrëveshjes së Ohrit.

TË NGJASHME

TË FUNDIT

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com