08/02/2023

Drejtori i Përgjithshëm i Tv Klan, Aleksandër Frangaj, thotë se zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 Marsit në 6 bashki të vendit treguan se kryedemokrati Lulzim Basha nuk mund të vazhdojë të qëndrojë në këtë detyrë.

I ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, Frangaj theksoi se Basha nuk është lider, ndërsa deklaratën e tij se nuk ka humbur asnjë garë e konsideron fyerje për qytetarët.

“6 Marsi tha, Lul Basha nuk është dot lider, 6 Marsi provoi që ai nuk mund të vazhdojë dot më kryetar i Partisë Demokratike. 6 Marsi kërkon domosdoshmërisht që opozita të ribashkohet, opozita të rithemelohet. Është skandal, është papërgjegjshmëri, nuk besoj që edhe kundërshtarët e PD të jenë të lumtur për këtë masakër që ka ndodhur në atë parti, nuk besoj, edhe kundërshtari më i madh Edi Rama që të jetë i lumtur që e ka sot opozitën të çarë edhe në rezultatet më skandaloze të këtyre 30 viteve. Si do ndodhë? Është çështje për t’u diskutuar. Nuk është skandal i madh rezultati i djeshëm. Skandali më i madh është ajo që e kam përjetuar sapo jam zgjuar nga gjumit sot, sapo e kisha televizorin ndezur te Klan News, hapa sytë dhe shoh Lulzim Bashën që bënte mbledhje apo pinte kafe me arsimtarët. Ndërkohë që vazhdonte numërimi në 5 bashkitë e tjera, ai pinte kafe dhe diskutonte për strategjinë e arsimit në Shqipëri. E preka veten a jam zgjuar a jam akoma në gjumë. Është të tallesh, është të fyesh inteligjencën e çdo shqiptari normali, por dhe një njeriu që ka bërë të paktën 4 klasë shkollë, të dalësh e të thuash që unë nuk kam humbur asnjë palë zgjedhje”, tha Frangaj.