26/01/2023

Eriselda Shllaku është një emër që dikur ka bërë xhiron e ekranit, si aktore, moderatore dhe modele. Sot ajo është më e tërhequr nga bota e medias, megjithatë nuk ka hequr dorë pasi projektet i ka të shumta.

E ftuar në “ABC e Mëngjesit”, Eriselda ka folur për të gjithë karrierën e saj ndër vite, duke u ndalur edhe në raste të veçanta.

Ndër të tjera, ajo zbuloi se Agron Llakaj e ka hequr nga spektakli i humorit, ‘Al’Pazar’ pa paralajmërim më herët. Sipas tij, arsyeja ishte mungesa e fondeve.

“Fillimisht kam qenë në ‘Al’ Pazar’, aty nuk kam qenë e ftuar. Kam qenë aktore. Më erdhi një ftesë nga Agron Llakaj e ndjeva veten të privilegjuar, sepse unë Gonin e vlerësoj edhe si artist edhe si krijues. Pas një periudhe kohore erdhi edhe një vendim po nga Goni për të më larguar, një vendim i menjëhershëm, erdhi pa ndonjë paralajmërim. Gjëra që ndodhin, edhe pse unë u përpoqa, sepse kam dhënë më të mirën, duke çuar edhe skenare vetë.

Ndërsa sa i përket ‘Portokallisë’ ka qenë tjetër gjë. Unë aty kam qenë e ftuar disa herë pasi lash ‘Al’Pazarin’. Tentativat aty po kanë qenë nga ana ime maksimale dhe përpjekjet për të qenë pjesë e grupit të “Portokallisë”. Kam çuar shumë skenare të mijat, nga pena shumë të mira shkruar për mua. Nuk e di pse nuk u bë më.

Unë me Gonin kam pasur gjithmonë marrëdhënie korrekte pune, shumë të mira. Nga ana e Gonit më është dukur vetja e vlerësuar për sa kohë kam qenë aty dhe për mënyrën e komunikimit dhe për të gjitha. Pastaj një ditë të bukur kur nisi sezoni tjetër, do vazhdonte edhe nja dy muaj edhe pak, Goni mori vendimin për mungesë fondesh e gjeti preteksin. Por në momentin kur erdhi përballja për mungesë fondesh, nuk e di pse më ra lapsi mua”, u shpreh Shllaku.

Mirëpo, nuk munguan as të rejat nga jeta private, pasi ajo zbuloi se është single dhe në pritje të princit të kaltër.

“Vazhdoj të jem single. Le të themi që nuk e kam gjetur personin e duhur, e përshtatshëm për veten.

Është e vetmja gjë që nuk mund të kërkohet në jetë. Mund të kërkosh shumë gjëra, po këtë gjë nuk e kërkon dot. Nuk e përcakton ti momentin, kur do të dashurohesh me dikë apo do të vendosësh të lidhesh me dikë”, u shpreh ajo.