4.5 C
Tirana
Thursday, 28 October, 2021

Agjencia e re! Si do funksionojë MIA? Do të informojë Ramën për…

Qeveria “Rama 3” u betua paraditen e sotme te Presidenti Ilir Meta më pas kryeministri bashkë me ministrat u drejtuan për në selinë e qeverisë duke firmosur vendimet e para. Një ndër vendimet me të cilat Edi Rama nisi mandatin e tretë ishte krijimi i Agjencisë për Media dhe Informim. Agjencia financohet nga buxheti i shtetit, donacione dhe burime të tjera të ligjshme. Drejtori i Përgjithshëm i agjencisë emërohet nga kryeministri.

Drejtori i Përgjithshëm, statusi i të cilit barazohet me atë të ministrit të shtetit, është zëdhënës i Këshillit të Ministrave. Zëdhënësat e ministrave janë nëpunësit e agjencisë të përcaktuar nga drejtori i Përgjithshëm të cilët punojnë pranë institucioneve përkatëse.

Kjo do të thotë se zëdhënësat e ministrive që kishin statusin e këshilltarit për mediat, që deri më sot emëroheshin dhe shkarkoheshin nga vetë drejtuesi i dikasterit, nga nesër e në vazhdim do të jenë në varësi të strukturës që do të drejtohet nga njeriu që do të caktojë vetë kryeministri.

Por cili është qëllimi i saj?

Në vendim theksohet se agjencia “Media and Information Agency – MIA” ka si mision të sigurojë transparencën në lidhje me politikat, aktivitetet, projektet, eventet, si dhe qëllimin, objektivat, risitë apo problematikat që zgjidhen nëpërmjet akteve të Këshillit të Ministrave dhe të akteve të tjera të ministrave dhe çdo institucioni të administratës shtetërore. Agjencia organizon konferencat për shtyp të kryeministrit, organizon punën mes ministrive përsa i përket informimit, etj.

“MIA” siguron informimin e përditshëm të kryeministrit mbi lajmet, debatet publike, çështjet me interes publik të paraqitura në median vendase dhe të huaj. Gjithashtu bën informimin e përditshëm të ministrave dhe titullarëve të institucioneve të administratës shtetërore mbi lajmet, debatet publike, çështjet me interes publik, të paraqitura në median vendase dhe të huaj, si dhe në veçanti informacion mbi ngjarjet që lidhen me fushat e tyre të përgjegjësisë.

Por sa punonjës do të ketë?

Në vendim theksohet se funksionet, numri i punonjësve dhe fondet e dedikuara për informimin dhe monitorimin në Agjencinë Telegrafike Shqiptare, në ministritë apo institucionet e administratës shtetërore në varësi të Këshillit të Ministrave kalojnë pranë Agjencisë së re “MIA”, në përputhje me legjislacionin në fuqi për menaxhimin buxhetor. Shpenzimet për këto çështje kryhen nga institucionet në të cilat ndodhen aktualisht, deri në ndryshimin e ligjit të buxhetit të vitit 2021.

Ndryshimi prek edhe nëpunësit aktualë të marrëdhënieve me mediat/zëdhënësit, pranë ministrive dhe institucioneve të administratës shtetërore, si dhe nëpunësit që kryejnë funksionet e dedikuara për informimin dhe monitorimin në Agjencinë Telegrafike Shqiptare, që kalojnë tek agjencia, të cilët do të trajtohen në bazë të përcaktimeve të legjislacionit në fuqi në rastin e mbylljes dhe ristrukturimit të institucionit.

TË NGJASHME

TË FUNDIT

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com