• 27/03/2023

Afganët, Rama: Nuk ndërtojmë kampe, integrim në Shqipëri

 Afganët, Rama: Nuk ndërtojmë kampe, integrim në Shqipëri

Kryeministri Edi Rama gjatë një interviste për gazeten e përditshme franceze “Liberation” mohon qe Shqipëria të jetë paguara nga amerikanët për të strehuar afganët, ndërsa thotë se nuk ka pranuar ndërtimi e kampeve për këta qytetarë, por ka një projekt për integrimin e tyre në Shqipëri, nëse nuk do të jetë mundësia që të shkojnë të gjithë drejt Amerikës.

“Deri më tani, tërë afganët që ne kemi pritur nuk janë marrë në ngarkim nga qeveria amerikane. Ata, të cilët ndodhen këtu, kanë punuar për organizatat e të drejtave të njeriut dhe kompani private. Këto organizata nuk na paguajnë gjë, por mbulojnë shpenzimet e tyre. Ka shumë mundësi që ata të cilët kanë ardhur te ne të mos përzgjidhen të gjithë për të jetuar në SHBA, kështu që ne po punojmë me këto organizata për t’i integruar këtu, në Shqipëri. Amerikanët na kanë propozuar një financim për të ndërtuar kampe. Ne nuk pranuam. Sepse kampet janë çnjerëzore dhe përfaqësojnë një burim pakënaqësish dhe indinjatash për popujt. Ne po përgatisim një projekt për të integruar fëmijët. Një pjesë e mirë e këtyre njerëzve janë gazetarë, teknikë dhe ne po përpiqemi t’i integrojmë në sistemin tonë mediatik”.

Kritikat ndaj vendeve të mëdha nuk munguan as gjatë kësaj interviste ku Kryeministri tha se planin për evakuimin dhe mbështetjen e afganëve e ka paraqitur që gjatë mbledhjes së vendeve të NATO-s ku ishte vendosur data e tërheqjes së amerikanëve nga Afganistani. Ndërsa thekson se diskutimi shtrohet për strehim të qytetarëve që duan të jetojnë në demokraci dhe jo emigracion i paligjshëm.

“Unë nuk jam kritik, thjesht jam i habitur që detyrimi ynë moral ndaj këtyre njerëzve është lidhur kaq ngushtë me zhgënjimet dhe sajesat që lidhen me emigracionin ilegal. Nëse etërit themelues të Evropës do të mund të na shihnin tani, atyre do t’u vinte turp nga ne. Ata kishin një projekt të bazuar në idealizëm dhe qëllime strategjike, por, sot, ka të bëjë gjithnjë e më shumë me nacionalizmin dhe nënshtrimin ndaj sondazheve të opinionit. Edhe në vendet, ku nacionalistët nuk janë në pushtet, ata ndikojnë në vendimet e të moderuarve në një mënyrë alarmuese. Në Ballkan, për më tepër, ne jemi peng i këtyre vendimeve afatshkurtra të evropianëve të moderuar të përfshirë nga frika e rritjes së të djathtës ekstreme”.

Kryeministri Rama i qëndron kërkesës së bërë publike për strehim të 4 mijë afganëve në Shqipëri. Ndërkohe në vendin tonë kanë mbërritur mbi 600 afganë që prej rënies së Kabulit në muajin Gusht.

Të ngjashme