26/01/2023

Një rast i veçantë ka ndodhur në Angli. Një adoleshente e dehur që la pa ndjenja një burrë kur e goditi me grusht në rrugë, është shpallur e pafajshme për vdekjen e tij disa ditë më vonë.

Kelsea O’Hara ishte 19 vjece kur qëlloi me grusht 58 vjeçarin Andrew Turner, kur ai refuzoi t’i kërkonte ndjesë pas një përplasjeje në rrugë me shoqëruesin e saj në Bridlington, në veri të Anglisë.

Zoti Turner ra përtokë pasi u godit nga O’Hara dhe përplasi kokën në rrugë duke mbetur pa ndjenja, dhe vdiq gjashtë ditë më vonë në spital.

Në gjykatë u tha se O’Hara, tashmë 20 vjeçe, goditi Turner pasi ai nuk i kërkonte ndjesë mikut të saj, i cili pësoi një gërvishtje në kokë nga përplasja.

Por ekspertët në gjyq thanë se megjithse viktima ndërroi jetë disa ditë pas sulmit, O’Hara nuk ishte përgjegjëse për vdekjen e tij.

Ajo pranoi sulmin, dhe u dënua me gjashtë muaj burg dënim të pezulluar dhe ndalim të daljes në orët e vona.

Prokurori Andrew Espley, tha se Turner kishte dalë me një mik në një bar në Bridlington ku ishin dhe O’Hara e katër miqtë e saj.

Pas nisjes së konfrontimit, O’Hara ishte lëshuar në sulmin ndaj Turner, duke e qëlluar në fytyrë dhe duke e bërë të humbiste ndjenjat kur ra përtokë, kur dhe goditi kokën”.

Policia dhe ambulanca kishin ardhur në vendngjarje por Turner refuzonte të shkonte në spital dhe fillimisht plagët e tij nuk konsideroheshin kërcënuese për jetën, citon TCh.

O’Hara u arrestua e u lirua dhe nuk bëri komente gjatë marrjes në pyetje, por u thirr perseri pas vdekjes së tij zotit Turner.

Gjykata e Hull vendosi se vdekja e ti nuk kishte të bënte me O’Hara, çka u konfirmua nga një patolog dhe një neuro-patolog.

Duke dhënë dënimin për O’Hara gjykatësja Sophie McKone tha: “Zoti Turner ka vdekur por patologu dhe neuropatologu bënë të qartë se ti nuk ke përgjëgjësi për këtë.”