26/01/2023

Zgjidhja e vetme e stabilizimit të çmimit të naftës në Shqipëri është reduktimi i taksave që përmban çmimi final. Këtë sygjeron Shoqata e Hidrokarbureve dhe përfaqësuesi i saj, Luigj Aliaj, për Gazetasi.al.

“Zbutja mund të vijë vetëm nëse pezullohet ndonjë nga taksat që aplikohen, rrugë tjetër nuk ka”,-thotë Aliaj.

7 taksat e naftës, togfjalëshi më i famshëm i sektorit gjatë viteve të fundit përfshijnë akcizën, (37 lekë), taksën e qarkullimit, (27 lekë), taksën  e karbonit, (3 lekë), taksën e rilicensimit, (7-10 lekë). Më pas janë shtuar taksat që arkëtohen nga koncesionarët, si taksa e markimit (1 lekë) dhe skanimit (1.4 lekë). Në fund paguhet dhe tatimi mbi vlerën e shtuar, sa 20% e çmimit final. Përafërsisht, vetëm taksat kalojnë vlerën e 100 lekëve për litër në blerjen e naftës.

Sipas Aliajt, rritja që pritej erdhi dhe kjo vetëm nga rritjet që ndodhin në tregjet e jashtme që e kontrollojnë të gjithë këtë sektor. Por rëndesës i shtohen edhe taksat lokale.

Mëngjesin e së premtes, një fuçi naftë kaloi 90 dollarë në bursën ndërkombëtare duke luhatur të gjithë tregjet botërore, në një kohë kur edhe burimet e tjera energjitike, si gazi apo elektriciteti po vuajnë inflacionin.

Sipas analizave ndërkombëtare, (referuar Bloomberg, The Economist), rritja e menjëhershme e çmimeve të naftës erdhi si pasojë e rritjes së konsumit post-pandemik dhe uljes së furnizimit të tregjeve me naftë nga vendet e OPEC. Europa dhe jo vetëm po tenton të luftojë përdorimin e hidrokarbureve, për t’i zëvëndësuar ato me burime më të gjelbërta dhe kështu po redukton sasinë e naftës në treg, ndonëse vendet e tjera duket qartësisht se nuk janë ende gati të bëhen kaq shumë dhe kaq shpejt të gjelbërt.

Sipas një studimi të fundit nga Korporata Globale e Studimeve Ekonomike, çmimet e hidrokarbureve në të vërtetë nuk mund të ulen, thjesht riformohen sistemet ekonomike dhe përshtaten brenda 10-20 vitesh. Për më tepër, studimi tregon se stabilizimi i këtij tregu botërisht mund të ndodhë kur kompanitë të kenë rregulluar deficitet e veta dhe jo pas një recesioni ekonomik, njësoj si ai i 2008-s dhe pandemisë tani.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë ka lajmëruar që prej një viti se rritja e çmimit të naftës është e përkohshme dhe se do të jetë në rënie sa të qetësohen tregjet dhe inflacionit. Të njëjtën gjë, pranoi dhe ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, duke përmendur dhe nivelet e bursës ndërkombëtare.

Nga një monitorim i nivelit të çmimeve të naftës në Shqipëri, të paktën për 10 vitet e fundit, duket se Shqipëria ndikohet nga bursa kur ajo është në rritje, por jo në rënie.ë

Në vitin e krizës botërore, mars të 2008-s, një litër naftë u shit në 138 dollarë amerikanë, që në Shqipëri u përkthye në 150 lekë për litër.  Në nisje të vitit 2009, çmimet botërore të naftës nisën të bien vrullshëm, deri në 50 dollarë për litër, por në vendin tonë rënie ishte e lehtë, duke u shitur me 115 lekë për litër.

Në vitin 2018, pas një rritje të lehtë në bursë, nafta në Shqipëri tregtohej deri në 178 lekë për litër, por brenda pak ditëve ra në rang global dhe në Shqipëri jo. Pak kohë më vonë, nafta në bursë u rrit përsëri, për t’u rritur dhe me 5 lekë të tjera në vendin tonë.

Për gjatë viteve, Shqipëria është listuar herë pas here ndër vendet me çmimin më të lartë të naftës për litër, duke ia kaluar dhe vendeve të zhvilluara dhe me fuqi blerëse të fortë.  Së fundmi, raporti i 2022-shit, e rendit vendin tonë pak më poshtë se Gjermania për vlerën e një litër naftë dhe me 0.70 dollarë më shumë për litër se sa mesatarja botërore e naftës. /Gazeta Si/