Procesi i vonuar i primareve në PD, për të zgjedhur përmes votës së anëtarësisë kandidatët për deputetë në zgjedhjet e 11 majit duket se po nis. Hapi i parë, është një mesazh i mbërritur këtë të enjte tek krerët e degëve të PD, që i njofton se shpejt primaret do të nisin, e për këtë arsye, nëse duan të jenë pjesë e procesit duhet të japin dorëheqjen nga pozicioni i tyre si drejtues lokalë.
“Nëse keni vendosur të garoni në primare, duke u përfshirë në rrethin e kandidaturave elektorale, brenda ditës së diel datë 26 janar 2025 duhet të depozitoni dorëheqjen tuaj nga pozicioni i kryetarit të degës pranë Sekretariatit të Organizimit”-thuhet në mesazhin e siguruar nga Report Tv.
Ndërkohë në PD ende nuk është miratuar rregullorja, e cila do të përmbajë rregullat e zhvillimit të primareve. Në to, me gjasë do të ‘kursehen’ drejtuesit e qarqeve, të cilët sipas burimeve nuk do t’I nënshtrohen votës së anëtarësisë, por do të jenë automatikisht pjesë e listës së mbyllur të kryetarit.