554 aksidente në vit nga skuterat elektrikë, mjekët ngrenë alarmin: Raste me dëmtime në kokë dhe fraktura të rënda!

Rreth 554 aksidente me skutera elektrikë janë shënuar vetëm këtë vit, shifër e cila është çdo ditë në rritje.

Mjekët ortoped shprehen se dëmtimet që shkaktohen prej tyre janë të shumta dhe mund të shkojnë edhe në fatalitete.

“Dëmtimet më të shpeshta janë kotuzionet e bërrylave, kotuzionet e gjunjëve, këto janë lëndimet më të shpeshta pastaj dhe në varësi të shpejtësisë, ka dëmtime të kokës nga dëmtime të lehta, deri në dëmtime të rënda kërcënuese. Ka pasur disa raste me traumë koke”, u shpreh mjeku ortoped Ledian Fezollari për “Viziion Plus”.

Ekspertët e sigurisë rrugore thonë se edhe fëmijët e moshës 12-13 vjeç i përdorin skuterat në mënyrë të papërgjegjshme duke rrezikuar jetën e tyre.

“Deri tani janë shumë të dëmshëm në qarkullim, qoftë nga vonesat që kryejnë të tjerëve, qoftë nga rrezikshmëria për jetën e tyre. Unë shikoj që edhe fëmijë 12-13 vjeç i ngasin këto skutera, shikoj edhe të moshuar, por ata harrojnë sa vjeç janë dhe mund të kenë luhatje tensioni. Fëmijët nuk e perceptojnë dot, duket sikur bëjnë gara me njëri-tjetrin dhe kjo më pas sjell rrezik tek jetët e tyre”, tha eksperti i sigurisë rrugore Gëzim Hoxha.

Mjekët dhe ekspertët e sigurisë rrugore japin disa këshilla për të gjithë ata që përdorin skuterat, për tu treguar më të kujdesshëm në rrugë.

Deri më tani, përdorimi i këtyre mjeteve nuk është përfshirë në kuadrin ligjor por janë kategorizuar tek biçikletat. Skuterat duhet të lëvizin në korsitë e dedikuara, deri në përcaktimin e saktë të rregullave të qarkullimit për këto mjete.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com