Kryeministri portugez Antonio Costa ka njoftuar dorëheqjen e tij. Drejtpërsëdrejti në televizionin kombëtar, kryeministri socialist konfirmoi zërat që qarkullojnë për një hetim ndaj tij në lidhje me një skandal të dyshuar korrupsioni. Costa tha se ishte ” i sigurt në funksionimin e drejtësisë”, duke shtuar se ishte i disponueshëm për të sqaruar çdo aspekt të veprimeve të tij. “Në këto rrethana, padyshim që i kam dorëzuar Presidentit të Republikës dorëheqjen. E kam ndërgjegjen të pastër”, shtoi ai.
Pas lajmit për përfshirjen e Costa-s në një hetim për dhënien e licencave për nxjerrjen e litiumit dhe hidrogjenit, thirrjet për dorëheqjen e tij erdhën nga opozita. Ndërkohë, është kontrolluar rezidenca zyrtare e kryeministrit portugez. Këtë e konfirmon edhe zyra e shtypit e kryeministrit, e cila bën të ditur se Costa ka zhvilluar një bisedë të shkurtër edhe me Presidentin e Republikës, Marcelo Rebelo de Sousa në Pallatin Kombëtar të Belem.
Hetimi ka nisur nga Gjykata e Lartë e Drejtësisë dhe, sipas përgjigjes së gazetës “Jornal Economico”, ka të bëjë me dhënien e licencave të paligjshme dhe korrupsionin e dyshuar në kontratat që kanë të bëjnë me hidrogjenin e gjelbër dhe shfrytëzimin e minierave të litiumit. “Janë në lojë fakte që mund të përbëjnë krime të keqtrajtimit, korrupsion aktiv dhe pasiv të titullarit të një posti politik dhe influencim në shitblerje”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Në qendër të hetimeve, në veçanti, do të ishin koncesionet për kërkimin e litiumit në minierat Romano dhe Barroso, një projekt termocentrali me hidrogjen në Sines dhe një për ndërtimin e një qendre të dhënash në zonën industriale dhe logjistike të Sines. Mes të dyshuarve do të ishte edhe ministri i Infrastrukturës, Joao Galamba. Urdhër-arrestet janë lëshuar për Vitor Escaria, shefin e kabinetit të kryeministrit dhe kryebashkiakun e Sines. Tre persona të tjerë u arrestuan./Liberale.al