Jashtë ambienteve të Kryesisë së Kuvendit, ish-kryeministri Sali Berisha ka komentuar veprimet e deputetëve të Rithemelimit, të cilët hipën nëpër kangjella dhe nëpër dritare për të hyrë brenda institucionit, ndërkohë që janë përjashtuar për kaosin e shkaktuar në seancat parlamentare.
Berisha tha se bllokimi që iu bë sot deputetëve të opozitës për t’u futur në Kuvend, ishte akti më i rëndë, duke iu drejtuar shqiptarëve se sot opozita po mbron idealet e tyre.
“Situatën kritike që ndodhet në vend tregon frikën e tmerrshme, lepurin e madh që i ka hyrë në bark Ramës dhe organizatës së tij kriminale. Kurrë ndonjëherë nuk mundet një roje të ndalojë një deputet të hyjë në një institucion, lë më në zyrën e tij. Për herë të parë në historinë deputetët u detyruan të bëjnë Tarzanin dhe të ngjiten mbi mure.
Ky akt është atentati më i rëndë ndaj pluralizmit. I drejtohem popullit opozitar, opozita po qëndron e gatshme për çdo sakrificë për të mbrojtur idealet tuaja, se Shqipëria duhet të jetë vend pluralist. Opozita po mbron idealet tuaja sot”, tha Berisha.