Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe ka reaguar pas përfundimit të mbledhjes së Komisionit të Ekonomisë, mbledhje e cila u zhvillua online për shkak të bllokimit nga deputetët e Rithemelimit.
Duke postuar videon ku sqaron përfitimet e bujqve dhe fermerëve pas miratimit të paketës fiskale, Brace shkruan se Berisha nuk i bllokon dot.
“Sapo mbaruam mbledhjen e komisionit të Ekonomisë dhe Financave ishte prezantimi i projektbuxhetit edhe paketës fiskale. Jam shumë i kënaqur t’i njoftoj të gjithë blegtorët se propozimi juaj për përjashtimin nga TVSH të mëshqerave të racës mbarëse realizohet këtë vit me paketën fiskale. TVSH për ta do jetë zero. Një propozim i dytë për të çliruar bletët për plajmim në sera. Fermerëve që merren me sera, u them larg hormoneve, bleta e bën shumë mirë këtë punë. Këto janë gjëra në paketën fiskale të dedikuara bujqësisë, vijojmë për më shumë se kaq”- shprehet deputeti socialist.
Mbledhja e Komisonit të Ekonomisë u zhvillua online, sepse, pas Konferencës së Kryetarëve, opozita bllokoi edhe komisionin e Ekonomisë këtë të mërkurë. Në këtë mënyrë mbledhja është spostuar online. Ministri i financave dhe Ekonomisë Ervin Mete po prezanton pr.buxhetin 2024 dhe paketën fiskale.
Sakaq, mësohet se tatimi mbi Vlerën e Shtuar që paguhet për importin e kafshëve të gjalla do të shfuqizohet prej vitit të ardhshëm. Në paketën fiskale për vitin 2024 është propozuar rishikimi i ligjit, me synim heqjen e TVSH-së për importimin e mëshqerrave dhe insekteve përfshirë edhe bletët.
Sipas ndryshimeve të propozuara të gjitha kafshët e gjalla për riprodhim si gjedhë, dhen, dhi, derra dhe njëthundrakë do të importohen pa qenë nevoja të paguhet TVSH-ja 20% në doganë. Ky ndryshim do të hyjë në fuqi në 1 janar të vitit 2024.
Vetëm në vitin e kaluar numri i krerëve të bagëtive që prodhojnë qumësht, si gjedhë, dele dhe dhi pësoi rënie me 8.3% në krahasim me vitin 2021. Ulja e krerëve është përkthyer në rritje të çmimit për produktet e bulmetit dhe të mishit për konsumatorët pasi ka më pak prodhim.