Apartamenti në të cilin jeton ish-kryeministri Sali Berisha aktualisht ndodhet nën sekuestro preventive nga ana e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar, Tiranë.
Lajmi është konfirmuar ditën e sotme teksa mësohet ndër të tjera se ky apartament ndodhet nën emrin e vajzës së tij, Argita Berishës.
Kujtojmë se apartamenti ndodhet në rrugën “Mustafa Matohoti”, e cila njihet edhe si “Rrugica e Salës”.
Nga ana tjetër sjellim në vëmendje se ditën e sotme janë vendosur në sekuestro preventive pasuritë e dhëndrit të Sali Berishës mes tyre 16 apartamente.
Mëngjesin e kësaj të hëne oficerët e Policisë Gjyqësore kanë nisur punën në terren për kryerjen e sekuestros preventive për 25 pasuri të Malltezit.
Fillimisht ata kanë shkuar në banka të nivelit të dytë për të sekuestruar 6 llogari në emër të dhëndrit të ish-kryeministrit dhe më pas do të shkojnë në tre kompani, konkretisht në Homeplan shpk, ku Jamarbër Malltezi ka 45% të aksioneve, Magnet IMO shpk ku ka 100% të aksioneve dhe Magnet Gym and Fit, ku ka 60% të aksioneve, 16 apartamente.
Gjithashtu nën sekuestero do të vihen edhe pronat tek ish-kompleksi “Partizani” dhe një vilë në Gjirin e Lalzit, ku Berisha kalon zakonisht kohën gjatë verës, bazuar edhe në postimet e tij në rrjete sociale.
Oficerët do të paraqiten fizikisht në objekte për të bërë lajmërimin dhe ndërrimin e bravave.