E prerë dhe duke hequr dorë nga gjuha diplomatike, ministrja e Punëve të Jashtme gjermane, Analena Berbok, e cilësoi provokim shtimin e prezencës ushtarake serbe në kufirin me Kosovën.
E pranishme në Ministrerialin e Shefave të Diplomacisë që u mbajt këtë të premte në Tiranë për t’i paraprirë samitit të 16 Tetorit të Procesit të Berlinit, Berbok u pozicionua ashpër kundër Serbisë dhe tha prerë se në krye të axhendës duhet të jetë dialogu dhe jo përshkallëzimi i situatës.
“Provokimet e palës serbe përmes rritjes së prezencës së trupave në kufirin me Kosovën e kanë nxehur dhe më tej situatën që ishte e tensionuar. Presim prej qeverisë serbe që të mund të çojë përpara proceset hetimore të ngjarjes së 24 Shtatorit.”
Edhe shumë më diplomatik dhe vetëm në përgjigje të pyetjeve pasi nuk e kishte në deklaraten e tij zyrtare situatën në Kosovë, Komisioneri i Zgjerimit, Varhely kërkon nga Serbia të bashkëpunojë për hetimin e plotë të ngjarjes së 24 Shtatorit.
“Autorët duhet të sillen përpara drejtësisë dhe drejtësia duhet jo vetëm që të flasë, pra autoritetet serbe duhet që plotësisht të bashkëpunojnë me ne lidhur me këtë çështje.”
Te njëjtën gjë kërkoi dhe ministri i Punëve të Jashtme, Igli Hasani.
“Presim që Serbia të nisë një hetim serioz për grupin kriminal terrorist, potencialisht të përfshirë në një konflikt të armatosur në veri të Kosovës.”
24 delegacione nga vendet pjesëmarrëse të Procesit të Berlinit, por dhe të ftuar, u ulën në Tiranë dhe folën edhe për situatën në veriun e Kosovës, përveçse për gjeopolitikën në tërësi.
Në takim morën pjesë dhe ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla dhe ai serb, Daçiç. Por ky i fundit, pavarësisht se u ul në të njëjtën tryezë të ministerialit me homologen nga Kosova, nuk pranoi të bëhej pjesë e fotos zyrtare.
Ministrja gjermane që negocioi gjatë me të përpara realizimit të fotos, nuk arriti ta bindë Ivica Daçiçin t’ju bashkohej homologëve. Në mënyrë demonstrative ajo kërkoi që foto të realiziohej me sfond nga flamujt e vendeve pjesëmarrëse edhe pse më parë ishte dakordësuar që ajo të realizohej në hyrje të Pallatit të Brigadave, ku të dukeshin vetëm banerat me logon e samitit.
Gjithsesi, ministrja gjermane në konferencë nuk pranoi që të komentonte edhe pse u pyet, ndërsa ministri Hasani e pa këtë si një çështje mes dy vendeve.
“Nuk do të doja të flisja për qëndrimet e kolegëve, ata komentojnë për çfarë bëjnë”, tha ministri Hasani.
Komisioneri për Zgjerimin zhvilloi një takim informal me të 6 ministrat e jashtëm të Ballkanit Perëndimor, por nuk u njoftua asnjë nga çështjet që u diskutua apo u dakordësua.
Përpara samitit të madh të Procesit të Berlinit në Tiranë u mbajtën disa ministeriale që i paraprijnë atij e ku u rakordua mbi çështjet që do të diskutohen në tryezën e liderëve në 16 Tetor.