01/02/2023

Bashkëpunimi mes autoriteteve ligjzbatuese të disa vendeve çoi sërish në parandalimin e trafikut ndërkombëtar të drogës dhe sekuestrimin e një sasie rekord prej 4.5 tonë kokainë, me destinacion Europën. Siç raportuam një ditë më parë, droga u kap gjatë një operacioni të policisë dhe gardës civile të Spanjës, në afërsi të ishujve Kanarie. Kokaina transportohej me një anije tregtare, e cila destinacion përfundimtar kishte portin e Rigës në Letoni.

Ngarkesa me drogë ishte nisur nga porti i Santos në Brazil dhe sipas asaj që shkruajnë këtë të shtunë mediat spanjolle, i përkiste një rrjeti të mafias shqiptare që siç dihet është e mirë konsoliduar në Amerikën Jugore dhe në provincën e Pontevedra të Spanjës.

Vlera e kokainës së sekuestruar i kalon shifrat e 150 milionë eurove. Sa i përket metodës për të transportuar në kontinent ngarkesën, burime të policisë thanë për mediat spanjolle se ajo ishte ‘klasikja’: “Përshkoi rrugën Atlantike të kokainës në të cilën lënda narkotike transportohet me anije drejt kontinentit europian”.

Gjatë operacionit në pranga ranë 15 anëtarët e ekuipazhit të anijes, 2 shqiptarë dhe të tjerët pakistanezë, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë.

Në këtë rast dyshimet fillestare lindën pasi ekuipazhi deklaroi se transportonte 200 tonë kafe, një sasi sipas autoriteteve atje, shumë më e vogël nga kapaciteti që kishte anija rreth 100 metra e gjatë.