30 parti komuniste letër SHBA-së, BE-së, dhe Britanisë: Ndaleni presionin ndaj Serbisë për Kosovën

30 parti komuniste dhe parti të punës, në kuadër të rivazhdimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, kanë nënshkruar një letër “për të ndaluar presionin mbi Serbinë që të njohë Kosovën”.
Këtë letër, këto parti ia dërguan Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian, dhe Britanisë së Madhe.
Letra mban mbishkrimin “Partia e Re Komuniste e Jugosllavisë”.
Sipas kësaj deklarate të përbashkë, “Washingtoni, Londra dhe Brukseli vazhdimisht po i bëjnë presion Beogradit që ta njeh zyrtarisht shtetin e rremë të Kosovës”, dhe që vazhdon të thuhet se “një gjë të tillë partitë komuniste dhe të punës me gjith zemër e kundërshtojnë”.
Ndërkaq, bëjnë thirrje “që trupat okupatorë të NATO-s të lëshojnë provincën jugore serbe menjëherë, dhe ti kthehet atdheut serb”.
Në mesin e nënshkruesve të deklaratës së përbashkët, me iniciativë të NKPJ-së, janë, siç thuhet, partitë parlamentare me ndikim si Partia Komuniste e Federatës Ruse, Partia Komuniste Portugeze dhe Partia Komuniste e Bashkuar Siriane.
Nënshkruese janë edhe partitë e mëdha joparlamentare si Partia Komuniste e Çekisë dhe Moravisë dhe Partia e Punëtorëve Hungareze, transmeton Tanjug.
Deklarata është nënshkruar edhe nga Partia Punëtore Socialiste e Kroacisë, thuhet në njoftim.