01/02/2023

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, është dënuar të premten nga Gjykata Speciale, me seli në Hagë, me 26 vjet burgim për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë. Ai është dënuar me 10 vjet burgim për ndalim arbitrar, 22 vjet burgim për torturë dhe 25 vjet burgim për vrasje të paligjshme.

“Trupi gjykues ju dënon me vendim të njësuar me 26 vjet burgim, ku do të llogaritet koha e kaluar në paraburgim”, tha kryegjykatësja, Mappie Veldt-Foglia, duke shtuar se krimet janë kryer ndaj shqiptarëve. Ai është shpallur i pafajshëm për trajtim mizor.

Sipas aktakuzës, Salih Mustafa, i njohur si “komandant Cali”, ka qenë komandant i njësitit gueril BIA, njësit brenda Zonës Operative të Llapit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të anëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë në periudhën janar 1998 – dhjetor 2000. Gjykata e ka selinë në Hagë të Holandës, por funksionon sipas ligjeve të Kosovës.

Kryegjykatësja Veldt-Foglia, ka thënë para shpalljes së vendimit se ka mendime të gabuara se akuzat janë kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe popullit të Kosovës. “Në asnjë moment nuk është gjykuar UÇK-ja”. Ajo ka thënë se viktimat që kanë marrë pjesë në procesin gjyqësor kundër Mustafës janë të frikësuar për veten dhe familjarët e tyre, dhe ende janë të traumatizuar për gjërat që kanë përjetuar.

Krimet për të cilat është dënuar Mustafa thuhet se kanë ndodhur në kompleksin e ndalimit në Zllash në Kosovë, në prill të vitit 1999. Sa i përket akuzës për ndalim arbitrar, kryegjykatësja ka thënë se të paktën 6 personave u është ndaluar liria në periudhën 1 prill 1999 – 19 prill 1999.

Vetë Mustafa është deklaruar i pafajshëm për këto krime. Madje gjatë një seance gjykimi, ai e ka konsideruar gjykatën si “zyrë të Gestapos”, policisë sekrete në kohën e Gjermanisë naziste.