01/02/2023

Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, në një konferencë për mediat, i ka bërë thirrje “drejtësisë së re që të bëjë detyrën në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin për dosjen e 21 janarit.”

Ministri Manja ka kërkuar nga SPAK-u që me daljen e disa regjistrimeve të reja nga komunikimi i ish-komandantit të Gardës, Ndrea Prendi me vartësit mes tyre Alfred Ahmetcenajt, ish-komandant i njësisë speciale të Gardës së Republikës, të nisë menjëherë hetimet.

Ndërsa theksoi se këto regjistrime vërtetojnë edhe një herë se “21 janari” është krim shtetëror, Manja theksoi se e ka për detyrë si ministër i Drejtësisë por edhe si qytetar që të ngrejë zërin deri në vendosjen e drejtësisë.

“Janë vrarë në demokraci duke protestuar si qytetarë të lirë nga pushkët e pushtetit të kohës në dyert e kësaj ministrie. Sot 12 pas këtij krimi të shëmtuar shtetëror përpos deklarimeve të ish-kryeministrit Berisha, që vijon të thotë me zë dhe figurë se ata i vrau shteti, nga mbrëmë në darkë ka një provë të re materiale që mbështet deklarimet e ish-ministrit.”

Manja u tregua kritik ndaj institucioneve të drejtësisë së re duke i akuzuar për “apati dhe mungesë të vetëdijes qytetare” për misionin që u është ngarkuar nga Kushtetuta dhe ligji.

“Shqipëria, ende sot pas 32 vitesh rreket t’i japë fund tranzicionit të gjatë politik duke patur lak për qafe ish-zyrtarë dhe zyrtarë të pandëshkuar për vrasje e krim shtetëror për shkak të apatisë dhe mungesës së vetëdijes qytetare të drejtësisë së re për misionin që u ka ngarkuar Kushtetuta dhe ligji,” u shpreh ai.

Banja bëri thirrje që dosja e “21 janarit” të mos vijojë të bëjë ping-pongun nga një prokuror te tjetri. Ministri theksoi se me daljen e provave të reja dhe atyre që pritet të dalin në dritë, dosja duhej të ishte transferuar në SPAK që në ditët e para të krijimit të tij.

“Koha është tani! Për drejtësinë e re kjo është sprova më e madhe për pavarësinë e tyre nga pushteti i radhës. Sepse zbardhja dhe ndëshkimi i këtij krimi shtetëror ka të bëjë me të ardhmen e demokracisë dhe shtetit të së drejtës në Shqipëri.”